Δευτέρα 26 Δεκεμβρίου 2011

Ura e Haxhi Beqarit

URA E HAXHI BEQARIT / ELBASAN

 
Ura e Haxhi Beqarit në vitin 1916



Spiros Mantas


N
dodhej në lindje të Elbasanit, në rrugën drejt Librazhdit dhe Ohrit, mbi lumin Shkumbin, në të dalë të një kanioni. Në të majtë të malit shtrihet rajoni (dhe fshati) i Polisit. Këtu, Egnatia në lashtësi dhe derveni turk më vonë, vazhdonin për në bregun përballë. Sot nuk ekziston më.

Ura, një kalim i rëndësishëm gjatë kohërave, kishte tre harqe të mëdhenj me përmasa pothuajse të njëjta, të përbërë -duhet theksuar kjo- nga dy rreshta gurësh, me tiranta metalike të shtrënguara me kunja, në rreshtin e poshtëm. Kishte gjithashtu shumë kamare, jo vetëm në këmbët e mesme, por edhe në shpatullat anësore, në afërsi të brigjeve. Këto detaje, natyrisht, kemi mundësinë ti përshkruajmë sot me saktësi falë fotografive të vjetra ku ura duket e shkatërruar, por me disa pjesë ende të parrënuara -një hark i saj ruhet i plotë. Dallojmë kështu, të paktën në shpatullën e djathtë (tjetra nuk ekziston më), tre kamare me forma të ndryshme: një të zakonshme, domethënë drejtkëndëshe me kurorëzim gjysmërrethor dhe dy në formë çerek rrethi. Së fundi, i gjerë por pa parapete mbrojtës (dikur kishte) paraqitet korridori i kalimit i cili ka shumë të ngjarë të ishte anormal, me ngritje dhe zbritje. Ështe më se e qartë se ishte një urë e madhe dhe impresionuese.

Ishte ndërtuar mbi themelet e një ure të vjetër romake, disa seksione të së cilës (më mirë, disa gjurmë), ruhen ende sot. Valter Shtylla dhe Lazër Papajani, duke studiuar  Egnatinë, kanë shkruar për të: «Në urën e Haxhi Beqarit, në mbështetjen e Bregut të djathtë, ruhen gjurmë ndërtimi të një ure romake mbi rrugën Egnatia. Gjurmët duken në mbetjet e themeleve, pasi kjo urë ka pësuar riparime të ndryshme gjatë kohëve. Qemeret e urës romake me trashësi 70 cm dhe gjerësi 4,2 m kanë qenë me tulla. Tulla e përdorur në urë ishte me përmasa 4,5 x 24 x 34 cm. Muret e faqeve të dukshme të murit jugor janë ndërtuar sipas teknikës “opus incertum” tipike për shekullin II-III, me një rresht gurësh të çrregult dhe dy rreshta tullash. Duke u nisur nga përmasat e tullave dhe tëknika e mureve pranojmë si kohë ndërtimi shekujt II-III. Besojmë se kjo duhet të ketë qenë ura e prishur nga gotët në vitin 479, kur po ndiqeshin nga romakët»[1].

Gjithsesi, «ura e fundit», domethënë «e reja», e epokës së sundimit turk, besohet se ishte ndërtuar me kursimet e pronarit të hanit të afërm, i cili kishte udhëtuar deri në Mekën e largët. Nga ky fakt, dhe për shkak se kishte ngelë i pamartuar, i ishte ngjitur nofka «Haxhi Beqar», nga e cila u emërtua dhe ura. Ky version ekzistonte si gojëdhënë në shekullin e 19-të, këtë version përmendin dhe udhëtarët e ndryshëm të kohës, disa prej të cilëve kaluan dhe natën në hanin e afërm që funksiononte për një periudhë të gjatë. E vërteta, megjithatë, duhet të qëndrojë krejtësisht ndryshe. Nuk është bindëse hipoteza se një hanxhi i varfër kishte mundësinë të sponsorizonte një projekt të tillë. Por le të ndjekim së pari udhëtarët e Egnatisë, të cilët gjatë shekullit të 19-të vizitojnë rajonin midis Elbasanit dhe Ohrit...

Duke udhëtuar për në Elbasan, Fr. Pouqueville shkruan: «…zbresim një shteg të vështirë për t'u kaluar, deri në breg të lumit dhe atje vazhdojmë mbi një urë guri me tre harqe. Duke ecur në bregun e djathtë, mbërrijmë në një han të fortifikuar. Në këtë vendndalim për karvanët që gjendet në skaj të rajonit, Veziri i Beratit ka vendosur një garnizon. Tre fshatra dallohen në bregun e majtë të lumit» [2].


Ura e Haxhi Beqarit në dekadën e viteve 1920.


Oficeri grek, V. Nikolaidhis (1850), -edhe ky duke udhëtuar nga Ohri për në Elbasan- përshkruan gjithashtu me saktësi: «rruga vazhdon gjatë një tatëpjete të rrëpirët dhe del në luginën e përzgjatur që përshkohet nga Shkumbini, me të cilin bashkohet këtu përroi i Polisit me drejtim lindje-perëndim. Vetëm disa hapa më tej, rruga kalon Shkumbinin mbi urën prej guri, të Haxhi-Beqarit, e cila ka një gjatësi prej 60 m, gjerësi prej 4 m me parapete mbrojtës dhe lartësi mbi nivelin e ujit, 8 m. Përbëhet nga tre qemerë rrethorë prej 12 m secili. Gjerësia e lumit këtu është 50-80 m, thellësia 1-2 ½, dhe shpejtësia 6.000 m/orë» [3].

Auguste Dozon (1875) ofron informata interesante topografike, si dhe të dhëna të dobishme për vetë urën, po të përjashtojmë faktin se një kamare të madhe e konsideron si qemer normal: «Vazhduam duke zbritur Shkumbinin në një kodër të mysët midis luginës së thellë të këtij lumi dhe asaj të përroit të Gostimës, i cili del nga një grykë e ngushtë dhe derdhet në Shkumbin afër urës që të çon në bregun e djathtë. Ura, ura e Beqarit, është mjaft e madhe, të paktën për sa i përket gjatësisë. Ka gjerësi 4.5 m. Përbëhet nga katër qemerë, dy prej të cilëve ndahen nga shtylla të trasha me kamare në to. Kalldrëmi formon një kënd në pikën më të lartë të harkut kryesor, aty ku zbret befasisht në anën tjetër të bregut të djathtë. Në atë anë, gjendet një rrafshnaltë e vogël me orizore, që korrespondon me vendndodhjen ku derdhet përroi i Gostimës»[4].

Përkundrazi, Ami Bouè dhe Anton Tuma von Waldkampf, në vitet 1840 dhe 1888 respektivisht, e përmendin shkurtimisht, i pari duke e renditur ndër urat e mëdha të Ballkanit: «...ajo me tre harqe te hani në lindje të Elbasanit»[5], dhe i dyti duke e konsideruar nga më të rëndësishmet e Shkumbinit: «... ura e Haxhi Beqarit midis fshatrave Polis (Kitis) dhe Mirat (Muhar)»[6].

Henry Tozer, i cili udhëton në rajon në vitin 1865 shënon: «Më në fund, duke ecur në një rrugë të pjerrët dhe të lodhshme, i'u afruam lumit, Shkumbinit të lashtë. Është një lumë i rëndësishëm që duket se ka marrë emrin modern nga qyteti Skampia në Egnati. Pikërisht këtu, ku Shkumbini del nga lugina e thellë në të cilën kalon rrjedha e siperme e tij, brigjet lidhen me një urë guri të bukur me tre harqe»[7].

Në vitin 1886, Nikolaos Skinas, një tjetër oficer grek, mbërrin në rajon dhe na imformon se «një rrugë shumë e pjerrët dhe e vështirë mes shkurreve, të nxjerr te Ura e Haxhi Beqar “Quprusiut” (?), -prej guri, me tre harqe dhe e lartë- mbi të cilën rruga kalon për herë të dytë lumin Shkumbin» [8]. Vasil Zoto «Molosi», nga Dhrovjani i Delvinës, thjesht e përmend dhe shënon distancën deri në Elbasan: «Ura e Haxhi Beqarit, 2.5 orë nga Elbasani»[9].   

Ura e Haxhi Beqarit në vitin 1939.


Çuditërisht, Francezi Victor Bérard do t'i referohet gjerësisht. Mbërrin në vitin 1890, kur pamja e zonës ka ndryshuar dukshëm. Udhëtarët e huaj, të cilët janë mësuar me urat e përpunuara bukur dhe me hotelet luksoze të vendeve të tyre, vetëm përmendin shkurtimisht ato që takojnë këtu. Por Bérard do të shprehë zhgënjimin e tij në mënyrë krejtësisht të ndryshme, duke përshkruar detaje të çmuara për ne. Le ta dëgjojmë: 

«Për të shkuar karvanët nga Elbasani në Strugë, qytetin e parë të Maqedonisë, duhen normalisht dy ditë me një ndalim gjatë natës në hanin e Xurës. Por, për t'ju shmangur kurtheve të mundshme, devijuam nga itinerari i zakonshëm dhe do të flejmë sonte në një han të izoluar afër urës së haxhi-Beqarit. Kjo urë e famshme e Shkumbinit të poshtëm është e vetmja që ka ruajtur të gjithë qemeret e saj. Një plak beqar, pelegrin në Mekë (haxhi), e ndërtoi në fillim të shekullit.
»Në mes të rrepeve dhe rrënojave të lashta, nga shtrati i lumit rrjedh një burim me ujë të bollshëm. Ndoshta para njëzet shekujve romakët ndalonin këtu kuajt ose qerret e tyre dhe çlodheshin nën hijen e pemëve. Ne, as që mundëm t'u  japim ujë kuajve. Errësohet dhe vendi nuk ka famë të mirë.  
»Kanioni zgjerohet në një hapësirë ​​ në formë rrethore mjaft të gjerë. Në bregun e  majtë të lumit […] shtrihet një shpat me argjilë, me gjatësi prej 100 m, që kurorëzohet me shkëmbinj. Në të djathtë, megjithatë, Shkumbini ka respektuar tatëpjetën e butë prej balte […] Në këto shpate ndodhen disa kasolle prej balte, arra, fusha misri dhe një kope dhish. Ura e haxhi-Beqarit duket përmes  rrepeve dhe shelgjeve, duke bllokuar lumin si një metope ndërtese të lashtë greke. Në afërsi të saj, hani nuk është veçse një barakë prej druri e ngritur në katër shtylla prej guri, një ndërtesë e fortifikuar, në fund të një oborri, të cilën e mbrojnë mure të fuqishëm dhe një derë e ngurtë dhe e rëndë.
»Hanxhiu nuk na mirëpret. Pak më parë, i kaloi duke vrapuar poshtë këmbëve një lepur -shenjë ogurzezë- dhe nuk ka asgjë për të na ofruar, as ndonjë pulë, as bukë misri. Është i armatosur gjer në dhëmbë. Vjen për të na shitur qumësht një fqinje me dy pistoleta në brez. Edhe fëmijët mbajnë pushkë në dorë. Të gjithë burrat punojnë afër Dibrës. Lidhëm kuajt te shtyllat dhe u mbyllëm në dhomën prej druri.
»Gjatë gjithë natës, stuhia buçiste në thellësi të kanionit. Nga dërrasat e «kafazit të pëllumbave» hynte një erë e tërbuar që s'na lënte të flinim gjumë. Në qiell yjet dridheshin dhe pandehje se do të shuheshin. Lepuri i hanxhiut nuk na solli fatkeqësi të tjera.
»Përvoja dhe maturia tregojnë se është më i përshtatshëm dhe i sigurt kalimi i urave turke jo mbi to, por më shumë, poshtë qemerëve të tyre rrethorë. Edhe kur rastiset që një urë turke duket sikur ofron të gjitha garancitë e qëndrueshmërisë, sipërfaqja e saj me pjerrësi të dyfishtë është shumë e vrazhdë dhe e rrëshqitshme! Nuk ka parapete në anë dhe kur ndodhesh në majën e qemerit të merren mendtë, tek po qëndron mbi ujin që turret me vrull, dhe përmes gjetheve që çon furia e rrjedhës së tij!
»Vepra e bukur dhe e famshme, e sponsorizuar me bujari nga pelegrini beqar, kjo urë e gurtë e fronëzuar mbi katër këmbë, në kohë normale shërben vetëm për mënyrën turke. Kalorësit kalojnë nëpër seksionet e cekëta të lumit, nën harqet e saj. Ura i mbron nga rrezet e diellit, të cilat siç dihet janë më të nxehta në ujë. Herë pas here ndonjë këmbësor i rrallë (çdo shqiptar ka kalin apo gomarin e vet) rrezikon duke kaluar mbi urë, kur Shkumbini është i pakalueshëm për shkak të stuhisë. Sot, për shembull, ne duhet të veprojmë sipas mënyrës evropiane. Ndërsa po tërheqim kafshët në ngjitje dhe i përmbajmë në zbritje, nuk rreshtim së falenderuari beqarin. Madhësia e urës na sjell në mendje madhësinë e mëkateve të tij... Por, do t'ia falnim të gjitha […] në qoftë se kishte plotësuar veprën me një rrugë, qoftë dhe me zhavorr. Si mund të mbahemi në këtë sipërfaqe të pjerrët, të mbushur me degë, shkurre, gjëmba dhe xunkthe? Dhe ai grumbulli i gurëve në majë të urës?
»Ana tjetër, në bregun e majtë të Shkumbinit, të nxjerr direkt në shpatin me argjilë. Shirat kanë sjellë mbi urë shumë gurë dhe llumra, duke e bërë daljen të vështirë. Një shteg i mbështetur me hunj dhe me trungje të tharë pemësh, ngjitet, vazhdon me zigzage, dhe na sjell pas një ore në majën e shpatit, nën kompleksin e shkëmbinjve. Lumi rrjedh në një thellësi më shumë se njëqind metra poshtë këmbëve tona...»[10].

Shpjeguam më lartë arsyen përse e konsiderojmë si një traditë të thjeshtë, një përrallë të bukur, versionin e disa udhëtarëve për sponsorizimin e urës nga «Haxhi Beqari». Për më tepër, nuk është hera e parë që një hanxhi emërton një urë të përafërt. Përkundrazi, duket bindëse ajo që mbështet gjermani Richard Busch - Zantner në vitin 1939: «Në Lindje të Elbasanit, përgjatë lumit Shkumbin, nëpër malet e Shqipërisë qëndrore, gjendej gjatë epokës Romake një rrugë që quhej Egnatia, e cila më vonë vazhdoi të funksiononte si një nga rrugët më të rëndësishme, duke filluar nga kryeqyteti turk, Stambolli dhe duke përfunduar në Shqipëri. Është e rëndësishme akoma sot për transportin drejt Maqedonisë dhe Selanikut. Ura e vjetër dhe e bukur e Vezirit që ndodhet pikërisht në këtë rrugë, e ndërtuar në shekullin e 15-të, u shkatërrua nga austriakët në Luftën e Parë Botërore, gjatë tërheqjes së tyre» [11].

Duhet theksuar, natyrisht, se me këtë emër, «e Vezirit» (Vezir Köprü), regjistrohet edhe në bibliografinë turke[12]. Konsiderohet si një nga veprat -xhamitë, banjat, teqetë, burimet dhe natyrisht urat- e krijuara nga otomanët. Këtyre i atribuohet dhe  zhvillimi i vetë qytetit (të Elbasanit - shën. i përkth.), pasi Mehmet Fatihu, pas dështimit të pushtimit të Krujës, erdhi në rajon dhe ndërtoi kështjellën. Pra, ka shumë të ngjarë që ai të gjendet pas emërtimit të urës. Sa për Haxhi Beqarin, në qoftë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një traditë, mbase kishte sponsorizuar një nga riparimet e shumta që me siguri pasuan.

Ura u shkatërrua plotësisht në vitet e fundit të dekadës së dytë të shekullit të 20-të, ndoshta në vitin 1916 -nga austriakët, siç pamë më lart (apo nga serbët?). Në këtë vit, mund ta shohim tek po e kalojnë trupat serbe[13]. Megjithatë, duhet t'i ishin bërë riparime  më parë, sepse rrënimi, me dëme të rënda, duhet të ketë filluar më herët. Mjaft i vlefshëm për këtë çështje, por edhe për problemin e sponsorit, është rrëfimi i Gustav Weigand, i cili udhëton i shoqëruar për në Elbasan në verën e vitit 1889: «…mbërritëm te hani i Babjes [...], pas dy orësh ndaluam përpara urës së lartë të vezirit. Në bregun e Shkumbinit erdhi, drejt nesh një erë e nxehtë dhe nuk i rezistova dot tundimit për t'u larë në ujin e rrjedhshëm të lumit, megjithëse Rapi më tha të mos futesha dhe këmbëngulte të largoheshim sa më shpejt, sepse në zonë janë bërë shumë sulmime dhe është tepër e rrezikshme. Nakiu më shoqëroi dhe së bashku ndjemë kënaqësinë e ujit të freskët dhe valëve të ftohta, ndërsa roja jonë besnik u ul në një kamare të urës dhe vëzhgonte përreth. Kuajt i kishim fshehur në një vend në mes të shkurreve. Pas pak kalëruam poshtë urës, përmes lumit, thellësia e të cilit, arrinte në pikën më të thellë, pak më shumë se një metër. Rapi u ngjit në urë (ana jugore e saj ishte shkatërruar) me ndihmën e një shkalle dhe u hodh me shkathtësi para nesh në shtegun që këtej e tutje është i gjerë dhe i kalueshëm lehtë» [14].   

(Përkth. Κ. Martini)







[1] Valter Shtylla, Lazër Papajani, dhëna teknike mbi Rrugën e luginës Shkumbinit Antikitet dhe Mesjetë, «Monumentet», 1/1990, 61.
[2] Fr. Pouqueville, Voyage de la Grece, Paris 1826. Μετάφρ. Νίκη Μολφέτα, Ταξίδι στην Ελλάδα - Μακεδονία - Θεσσαλία, έκδ. Αφ. Τολίδη, Αθήνα 1995, 109. (përkth. N. Molfetas, Udhëtim në Greqi – Maqedoni, Thesali, bot. Vll. Tolidhi, Athinë 1995, 109).
[3] Β. Νικολαΐδης, Στρατιωτική Γεωγραφία της Ευρωπαϊκής Τουρκίας.., Εν Αθήναις  1851, τ.  III, 858 [έκδ. “Βιβλιόραμα” 2017, 293]. (V. Nikolaidhis, Gjeografi ushtarake e Turqisë Evropiane, Athinë 1851, vëll. III, 858 [bot. Bibliorama 2017, 293])
[4] Auguste Dozon, Excursion en Albanie. Report sent to the French Ministry of  Foreign Affairs, Department of Consular and Commercial Affairs, «Bulletin de la Société de Géographie», Paris, June 1875.
[5] Ami Bouè, La Turquie d’ Europe, Tome Troisième, Paris 1840, 74.
[6] Υπουργείον Στρατιωτικών, Ελλάς, Μακεδονία και Νότιος Αλβανία, ήτοι η Μεσημβρινή Ελληνική Χερσόνησος, υπό Αντωνίου Τούμα Φον Βαλδκάμπφ, μετάφρ. Ευγένιος Ρίζος Ραγκαβής, Εν Αθήναις 1901, 102. (Ministria e Luftës, Greqi, Maqedoni dhe Shqipëri e jugut... nga Anton Tuma von Waldkampf, përkth. E. R. Rangavis, Athinë 1901, 102)
[7] Henry Fanshawe Tozer, Researches in the Highlands of Turkey, Including Visits to Mounts Ida, Athos, Olympus, and Pelion, to the Mirdite Albanians, and Other Remote Tribes, London 1869, Vol. I, 201.
[8] Νικόλαος Σχινάς, Οδοιπορικαί σημειώσεις Μακεδονίας, Ηπείρου, νέας οροθετικής γραμμής και Θεσσαλίας, συνταχθείσα τη εντολή του επί των Στρατιωτικών Υπουργού. Μακεδονίας τεύχος Β,  Εν Αθήναις 1886, 304. (Nikolaos Skinas, Shënime udhëtimi nga Maqedonia, Epiri... vëll. II, Athinë 1886, 304).
[9] Β.Δ. Ζώτος-Μολοσσός, Δρομολόγιον της Ελληνικής Χερσονήσου, Τόμος Δ!, Τεύχος Α! Εν Αθήναις 1878 ,141. (V. Dh. Zotos – Molosos, Itinerar i Gadishullit Grek, vëll. IV, nr. I, Athinë 1878, 141).
[10] Victor Bérard, La Turquie et lHellénisme contemporain, Paris 1893, 88. Μετάφρ: Μ. Λυκούδης, Τουρκία και Ελληνισμός, Οδοιπορικό στη Μακεδονία, Τροχαλία, Αθήνα 1987, 112-115. (përkth. M. Likudhis, Turqia dhe Helenismi... bot. Trohalia, Athinë 1987, 112-115).
[11] Richard Busch - Zantner, Albanien - Neues Land im Imperium, Wilhelm Goldman Verlag, Leipzig, 1939, 159.
[12] Cevdet Çulpan, Türk taş köprüleri, Ortaçağdan Osmanli devri sonuna kadar, 122.
[13] Në përshkrimin e ilustrimit të revistës «The Sphere» (1916), shënohet midis të tjerave: «Tërheqja e ushtrisë serbe në Shqipëri. Ushtarë të një divizioni serb kalojnë urën madhështore  me tre harqe në rrugën e Elbasanit. […] Kjo urë e përsosur dhe e vjetër që daton në Mesjetën e hershme, admirohej për shumë shekuj nga banorët vendas dhe është me të vërtetë i pikëllueshëm mendimi se mund të ketë pësuar shkatërime nga trupat e fundit të ushtrisë Serbe gjatë tërheqjes».
[14] Gustav Weigand, Die Aromunen. Ethnographisch - Philologisch - Historische Untersuchungen über das Volk der sogenannten Makedo - Romanen Oder Zinzaren, Erster Band, J.A. Barth, Leipzig 1895, 70.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου