KRISTAQ
BALLI
NJË PREJ KARTOLINAVE MË TË HERSHME SHQIPTARE
“Inaugurimi i Urës në Dardhë, 1904”
“Inaugurimi i Urës në Dardhë, 1904”
Arikull i botuar ne Gazetën "KOHA JONE" dt. 14 Mars 2016, f.18-19
Άρθρο του Kristaq Balli στην αλβανική εφημερίδα “Koha Jonë” (φ. 14.3.2016),
με αφορμή την εργασία μου «Στα εγκαίνια ενός γεφυριού - Δάρδα Κορυτσάς, 1904».
Ο αρθρογράφος, συντηρητής στο “Μουσείο
Μεσαιωνικής Tέχνης” της
Κορυτσάς, συγγραφέας, καθώς και ειδικός ερευνητής της φωτογραφίας, αναφέρεται
στην ιστορία των καρτ-ποστάλ της Αλβανίας, στους σημαντικούς φωτογράφους της γενέτειράς
του Δάρδας, στο ταξίδι μου στην τελευταία προς αναζήτηση του γεφυριού του Μύλου
και φυσικά στην περίφημη κάρτα των εγκαινίων, την οποία θεωρεί, αν όχι την
πρώτη, σίγουρα από τις παλαιότερες που κυκλοφόρησαν στη χώρα του. Ακόμη αποκαλύπτει
τον φωτογράφο της, τον Περικλή Κατσαούνη (1880-1950), ο οποίος, έχοντας
μαθητεύσει στην Οδησσό, δούλεψε κάμποσα χρόνια στη Δάρδα, για να μεταναστεύσει
τελικά το 1910 στην Αμερική όπου άνοιξε δικό του στούντιο.
Βλέπε το άρθρο με κλικ ΕΔΩ
K
|
artolina
përfaqëson në vetvete një format katërkëndësh (ose formë tjetër) letre të
trashë, apo kartoni të hollë i prodhuuar për shkrimin e mesazheve relativisht
të shkurtra e të shpejta dhe postimin pa zarf. Kartolina më e vjetër në botë
konsiderohet ajo e dërguar shkrimtarit Theodore Hook (1788-1841) nga Fulham në
Londër në vitin 1840 dhe është stampuar me një vulë të zezë me vlerë 1 peni. Në
SHBA kartolina e parë komerciale u emetua më 1861 nga John P. Charton nga
Filadelfia, i cili ia shiti të drejtat për printim Hymen Lipman-it (1817-1893).
Këto ishin kartolina pa figura vizuale.
Kartolina e pare e Hymen Lipman-it. |
Kartolina e parë e njohur me figurë nga njera anë u krijua në Francë më 1870 në Camp Conlie (një kamp trajnimi ushtarak në kohën e luftës Franko-Prusiane) nga Leon Besnardeau (1829-1914). Kartolina e tij kishte një vizatim
litografik të printuar mbi të, që përmbante imazhe emblematike armësh dhe
mbishkrimin “lufta e 1870. Camp
Conlie. Suvenir i
Mbrojtjes Kombëtare). Ushtria e Brittany”.
Gjatë dekadave të mëvonshme në Angli, Gjermani, Francë, Austri dhe shumë vende të tjera kartolinave iu dhanë impulse intensive aplikimi, të cilat çuan në “periudhën e artë” të kartolinave me figura nga mesi i viteve 1890. Në fillim të shek XX e më tej pjesa
e prapme e kartolinave u dizenjua e ndarë në dy pjesë vertikale, ku në anën e
majtë shkruhej teksti i mesazhit dhe në të djathtë adresa postare, ku kishte
një vend të posaçëm për pullën apo/dhe vulën e zyrës postare. Gjysma e parë e
shek XX shënon rritjen eksponenciale dhe popullarizimin e shkëmbimit të
kartolinave të shumëllojta në të gjithë botën dhe përbën “periudhën e dytë të
artë” të tyre.
Synimi i këtij shkrimi
është sigurisht evidencimi i një prej kartolinave të para shqiptare (në mos e para), por gjithashtu edhe nevoja e çeljes së një dritareje bashkëbisedimi mbi këtë problem të palëvruar në vendin tonë sidomos nga koleksionistët dhe opinion kulturor, pasi edhe kartolinat shqiptare janë një pjesë e vyer e trashëgimisë historike, etnokulturore e artistike të kombit shqiptar dhe prej tyre mund të zhbirohen e zbulohen anë të ndryshme të realitetit, ngjarjeve,
personazheve, tipareve natyrore, ekonomike e shoqërore të vendit tonë. Kjo fushë studimore kërkimi shkencor quhet deltiologji (deltiology) dhe përfshin koleksionimin dhe studimin në kontekstin e identifikimit të vendit dhe kohës së prodhimit të tyre, por edhe të subjektit e elementëve pamorë në to, pasi në të shumtën e herëve ato janë
prodhuar në mënyrë të çrregullt dhe të decentralizuar.
Kartolina “Përurimi i Urës në Dardhë”, 1904 |
Kartolina për të cilën do të shprehim vlerësimet tona quhet “ Inaugurimi i Urës në Dardhë” dhe i takon vitit të hershëm për një shemër të tillë në Shqipëri - 1904.
Dardha, 18 km në Jug-lindje të Korçës, është krijuar, zhvilluar dhe mbetet historikisht
si një fshat origjinal e autentik për disa prej tipareve të tij natyrore, klimaterike, urbano-arkitektonike, ekonomike, sociale, etnokulturore etj. I themeluar nga gjysma e shek. XVII në shpatin
e pjerrët të një mali si amfiteatër, ai gjendej në mes të pyjeve të dendur të
ahut e pishave, ujrave të shumtë burimorë e përrenjve malorë prej nga nis edhe
lumi Devoll, limereve e kullotave me bar e lule (më thuaj një ngjyrë të të gjej
një lule në Dardhë-thuhet aty) të përshtatshme për mbarështimin e bagëtive të
imta, me një klimë të mrekullueshme malore të shëndetshme nga oksigjeni i
bollshëm dhe bukuri të rrallë natyrore. Fillimisht si një vend i përshtatshëm
për verimin e bagëtive e më tej si një përzgjedhje vendbanimi e bujtësve të
disa fshatrave rrotull të shkatërruar nga pushtuesit otomanë e përfundimisht si
një “fortesë” natyrore e fiseve të krishtera që tentonin t’i shmangeshin
konvertimit në fenë islame dhe taksave të papërballueshme ndaj tyre, Dardha u
shndrrua në një qendër të përhershme banimi e të krishterëve ortodoksë jo vetëm
me popullsi nga vendet përreth, por edhe nga rajone të tjera të Shqipërisë.
Fshati u rrit e evoluoi me ritme të shpejta e ekstensive, aq sa, jo vonë,
resurset e saj natyrore për përballimin e jetës (toka e punueshme dhe ajo
livadhore) nuk mjaftonin. Në këto kushte burrat filluan të ushtronin një
profesion të ri, atë të prodhimit të lëndës drusore, profesion sëpatari e sharrëtari,
i cili i bëri të njohur e të preferuar edhe në vise të tjera (“e pret si me
sëpatën e dardharit!”). Kështu filloi migrimi sezonal dimëror i burrave drejt
vendeve më të ngrohta me mjeshtërinë e tyre, së pari brenda territoreve
jug-perëndimore shqiptare e më vonë jashtë tyre, në Greqi, Serbi, Bullgari,
Turqi, Rumani, etj., ku ata e treguan veten aq të zot, sa e perfeksionuan
profesionin e tyre me teknologji punishtesh më prodhimtare nëpërmjet energjisë
së ujit. Në verë ata ktheheshin në Dardhë për të kryer punët e bujqësisë e
blektorisë dhe njëheresh, me fitimet e kurbetit sezonal të përmirësonin kushtet
e jetesës, të ndërtonin shtëpi të reja, të krijonin familje, në se ishin të
pamartuar e për t’u bërë gati për shtegtimin e tyre të ri. Nga këndvështrimi
komunitar e social, banorët e Dardhës ishin shumë të hapur e të prirur për t’u
përshtatur e familjarizuar shpejt me njeri-tjetrin, të mësonin e të shkëmbenin
përvojat, traditat, zakonet respektive, por mbi të gjitha ishin solidarë e plot
harmoni humane. Aq sa edhe martesat bëheshin brenda fshatit midis fiseve të
ndryshëm e, kështu, në një farë mënyre të gjitha familjet ishin të lidhur me
valenca farefisnie, apo krushqie, që e bënte edhe më të afërt, më tolerant e më
bashkekzistent jetesën e tyre në komunitet. Nga ana tjetër ky afinitet e
solidaritet që i shtohej edhe prirjes së banorëve për të përparuar e përmirësuar
kushtet e tyre të jetës, por edhe prurjeve kulturore e risive jetike nga
emigrimi në vendet më të zhvilluara (sidomos gjatë emigracionit në SHBA që
filloi në agun e shek XX) e bënin më të lehtë e më të qenësishëm organizimin
kolektiv të banorëve në organizime e formacione shoqërish e vendimmarrjesh
financiare të përbashkëta në përmirësimin e progresin e strukturave urbane të
fshatit të tyre sipas disa rregullave e normave morale që ata i kishin të
sanksionuara në kanunoret e disa shoqërive komunitare të krijuara në Dardhë,
apo në emigracioin e që kishin si qëllim kryesor bamirësinë, zhvillimin dhe
përparimin e jetës ekonomike e shoqërore të fshatit të tyre.
Foto Dardha e Korçës, viti 1890. |
Për këto arsye në fillim të shek. XX Dardha jo vetëm që ishte një nga
fshatrat më të mëdhenj e më të njohur të Korçës (me rreth 450 shtëpi e mbi 1500
banorë), por ajo i përngjante më shumë një qyteze me jetë urbane, rrugët e saj
ishin të shtruara me kalldrëm e të mbrojtura nga mure të lartë, kishte
ujësjellës dhe shumë çezma e kroje kolektive, kanalizime, shtëpitë ishin
thuajse të tipologjisë qytetare, ushtroheshin shumë zeje e profesione urbane,
kishte dyqane, kafene, punishte prodhimi e shërbimi artizanal, kopshte dhe
shkolla për vajza e djem ishin çelur e funksiononin qysh me 1768, ndonëse në
gjuhën greke, ishin ndërtuar 3 kisha orthodokse (madje supozohet se këtu ka
predikuar edhe Shën Kozmai), dhe banorët e saj bënin një jetë sociale, shpirtërore,
zakonore e kulturore të përparuar për kohën. Festat fetare, pagane, piknikët e
ballot argëtuese shprehnin nivelin e emancipimit social të komunitetit. Ky
zhvilim specifik krijoi edhe disa fenomene etnokulturore që edhe sot mbeten si
simbole të pashlyeshme të niveleve kombëtare, si Kostumi dardhar i grave,
Vallja e kënduar e grave Dardhës, sëpata e dardharit, rakia prej kumbullash të
egra etj. Gjatë kësaj kohe e në vijim (për më se 2 shekuj)
ushtronte
aktivitetin e saj një plejadë prej 24 ikonografësh dardharë, kryesisht klerikë
e midis të cilëve edhe gra, punimet e të cilëve të inkuadruara në atelienë
dardhare shënojnë edhe përmbylljen e artit pasbizantin shqiptar në gjysmën e
pare të shek. XX. Po ashtu një aradhë prej 12 fotografësh, më të vjetrit e të
cilëve ( Papa Jani Zengo, Perikli Kaçauni, Thimi Raci, etj) konsiderohen si
grupi i dytë i fotografëve më përfaqësues të Shqipërisë pas studios Marubi…
Janë këta fotografë e të tjerë që i lanë Dardhës një pasuri e arkiv të vyer
historik pamor mijra fotosh e negativash që, krahas të tjerash, do të
evidenconin evolucionin e këtij fshati në të gjitha aspektet e jetës ekonomike
e shoqërore të tij. Dhe një prej tyre, pra, “Përurimi i Urës së Dardhës”, 1904
do të kthehej në kartolinë menjëherë pas realizimit të saj.
Kartolinë, Fshati Dardhë, Viti 1939 |
Historia e kësaj kartoline nga më të hershmet në Shqipëri e ka zanafillën pikërisht në kontekstin e vitalitetit identitar e kreativ të dardharëve për të ndërtuar e zbukuruar vendbanimin e tyre dhe për ta bërë jetën edhe më komode. Përfund fshatit, në lindje të tij rridhte një
përrua, i cili, sidomos gjatë stinëve të shirave e dëborës fryhej e bëhej
pengesë për hyrje-daljet në fshat për banorët e Devollit të poshtëm që
bënin
“pazarin” në Dardhë e sidomos për fëmijët e fshatrave që ndiqnin shkollën në
këtë fshat. Kjo situatë e vështirë që të kujtonte shpesh skenën mitologjike të
Shën Kristoforit, nxiti një prej emigrantëve dardharë në Rumani, Kristo Themeli
Gajo (nga një familje e dalluar për aktivitetin e saj intelektual e tregtar në
Greqi e Rumani) të merrte iniciativën për të kryer një gjest filantropik për
fshatin e tij si bamirësí e dhuratë ndaj banorëve dhe gjithë udhëtarëve të
zonës që frekuentonin Dardhën, pra të ndërtonte me shpenzimet e tij një urë
guri që do të lehtësonte kryekëput kapërximin e lumit jo vetëm nga këmbësorët
por edhe nga mjetet e transportit që kalonin aty. Në vitin 1903 ai pajtoi një
mjeshtër urash dhe në ujdi me pleqësinë e fshatit, pas një viti ura u bë
realitet. Pamja që shohim në foto jep disa të dhëna interesante mbi këtë
subjekt festiv e solemn: fotoja është realizuar nga fotografi dardhar Perikli
Kaçauni (1880-1950) që në atë kohë kishte ardhur nga Odesa, ku kishte mësuar
profesionin e fotografit. Pra ishte vetëm 24 vjeç dhe deri në vitin 1910 ai
punoi si fotograf në Dardhë duke i lënë asaj një arkiv të madh fotosh, midis të
cilave edhe ato me pjesëmarrje masive të banorëve të Dardhës. Më 1910 ai
emigroi në SHBA, ku hapi në Boston
studion e tij fotografike “Perry Studio” e cila e definon atë si fotografin e
parë shqiptar në SHBA. Nga pikpamja profesionale e estetike, duket se fotografi
ka bërë një punë të gjatë parapërgatitore për ta studiuar e organizuar
kompozimin, subjektin dhe atmosferën e saj sa më gjithëpërfshirëse, e ku të
shfaqen me detaje të gjitha objektet, njerëzit dhe natyra në sfond. Natyrisht,
objekti më i madh e kryesor që të bije në sy është ura si një alternativë
transporti, por edhe figurativisht si një simbol lidhjeje, komunikimi e
qytetërimi human. Duket që ura me një hark është ndërtuar me gurë drejtkëndorë
të latuar dhe harku i saj është një qemer me gurë konikë preçizë që e dekorojnë
atë dhe të lenë të kuptosh se kryemjeshtri i ndërtimit të saj ka qenë një
specialist i përkryer në profesionin e tij, por jo nga Dardha. Në pjesën e
sipërme të urës janë vendosur parapete mbrojtëse anësore guri. Midis qemerit
dhe parapeteve në qendër është vendosur një pllakë mermeri a guri e murrosur,
ku është gdhendur me shkrim në gjuhën greke dedikimi i dhuruesit të cilin do ta
shpjegojmë më pas. Një kujdes të posaçëm kompozicional fotografi ka treguar në
vendosjen e njerëzve që kanë ardhur aty për t’u inkuadruar në foto. Ata janë
vendosur në mënyrë simetrike dhe që të mos pengojnë dukjen e gjthë elementëve
të urës. Sipër urës, në qendër është bamirësi, Kristo Themeli, në të djathtë të
tij dy klerikët Papa Naum Zengo dhe Papa Jani Zengo që, aso kohe, shërbenin në
kishat e Dardhës, në të djathtë (me kapele) ndoshta kryemjeshtri dhe ngjitur me
të punëtorët e tjerë. Majtas filantropit qëndrojnë anëtarë të pleqësisë dhe banorë
të Dardhës. Një prej elementëve më domethënës të fotos është paraqitja masive e
fëmijëve (janë mbi 100, çka tregon për popullsinë e madhe të Dardhës) të
vendosur poshtë në të dy ledhet e përroit, të veshur me dollomá, që janë nxënës
dhe fëmijë të kopshtit për të cilët kujdesen mësuesit e edukatorët e tyre të
vendosur përbri. Një pjesë e fëmijëve mbajnë përpara trupit të tyre libra që i
identifikon ata si nxënës të shkollës së Dardhës. Ndofta filantropi dhe
fotografi e kanë dëshiruar këtë pjesëmarrje dhe masivitet të tillë me qëllim që
momenti i fiksuar të marrë figurativisht idenë e përkatësisë dhe të shërbimit
të urës këtij brezi të ri. Në të djathtë të urës duket ndërtesa e një mulliri
(i Çomes) sipas të cilit mori emrin në fillim edhe ura, pra “Ura e Mullirit”.
Nën harkun e urës, në sfond duket një urë primitive druri si dëshmi e situatës
së mëparshme.
Fotografi realizues Pero Kaçauni |
Kartrolinë nga Dardha, 1941. |
Kjo foto paraqet, pra,
momentin final të inaugurimit të një “vepre arti” rrugore,
jo dhe aq të madhe, veçse shumë të rëndësishme historike, utilitare dhe simbolike për një fshat 112 vjet më parë. Por e veçanta më e këndshme e kësaj fotoje është fakti se ajo u
shndërrua dhe qarkulloi si kartolinë e asaj kohe në Korçë, kur pak njiheshin e
qarkullonin kartolinat në Shqipëri. Çelësin e printimit të saj si kartolinë e
jep, veç të tjerash, edhe tregimi i një udhëtari grek që ka ardhur si vizitor
në Dardhë në vitin 2004 (tamam 100 vjet pas ndërtimit të urës dhe realizimit të
kësaj fotoje) dhe e ka sjellë me vete këtë kartolinë. Paraprakisht, duhet të
them se sponsori i urës, Kristo Themeli Gajo e mori foton të printuar, ndoshta
edhe negativin e saj në xham dhe e çoi në Rumani. Aty ai i bëri disa ndërhyrje,
konkretisht duke shtuar mbi të shkrimin në greqisht ‘’ΔΙΑ ΤΟΥ
ΚΥΡΙΟΥ ΧΡΗΣΤΟΥ ΘΕΜΕΛΗ ΓΑΪΩ ΕΝ ΔΑΡΔΑ 1904’’, domethënë ME SHPENZIMET E ZOTIT KRISTO THEMELI GAJO NË DARDHË
1904, që në të vërtetë ishte mbishkrimi i skalitur në pllakën përkushtuese në
mes të urës, por që në foto nuk lexohej dot, si dhe një mbishkrim në gjuhën
rumune “Suvenir de la Darda” (Maccedonia) - Kujtim nga Dardha (Maqedonia). Nga
ana e prapme e fotos ai stampoi në rumanisht: “EDITURA: CHRISTES TH. GAIO,
BUCURESCI (ROMANIA)”, pra “BOTIM: KRISTO TH. GAJO, BUKURESHT (RUMANIA)”, për ta
konvertuar atë në kartolinë, e printoi të tillë nga të dy anët në një
shtypshkronjë me një tirazh të arsyeshëm dhe dërgoi një sasi prej tyre në
Korçë.
Por le t’i kthehemi sërish vizitorit grek me emrin Spiro... të vitit
2004, i cili shpalos disa detaje interesante për kartolinën në fjalë. “Shorti
me nr. 1633 i ankandit të kartolinave të vjetra përshkruhej kështu: Përurimi i
Urës prej Guri me Financim të Z. Kristo Themeli. Në Dardhë 1904… Fotografia
rastisi të printohej në kartolinë dhe për shumë kohë qarkullonte në Korçë. Atje
e gjeti, nëntë vjet më vonë dhe e bleu me një çmim shumë më të lartë se ai
fillestari dhe e dërgoi me postë në vendin e tij, në Hanjia të Kretës një
ushtar i Batalionit Grek që në atë kohë kishte çliruar (kupto: pushtuar K.B.)
qytetin. Në pjesën e prapme të kartolinës lexohet “Sot, më datën 26/10/1913
erdha me Dhiomidhi(?) në Korçë, është një qytet i mirë por me borë dhe shumë i
ftohtë… ” Nuk dimë më tej se si ka rënë në dorë të “koleksionistit” grek kjo
kartolinë, apo për marrëdhëniet midis tij dhe familjes së ushtarit që ia ka
dërguar këtë kartolinë familjes së tij më 1913.
Sidoqoftë vizitori grek Spiro,
posedues i kartolinës, përshkruan udhëtimin e tij për në Dardhë nëpërmjet Boboshticës duke pasur udhërrëfyes Ardianin (Seferi
- K.B.) një të ri nga Dardha, me të cilin kanë mbërritur në fshat e më pas tek ura, plot kureshtje, për ta vëzhguar atë dhe për ta përqasur me kartolinën. Aty kanë takuar një prej banorëve më të moshuar të Dardhës, Ilia Kere, i
cili u ka shpjeguar gjithçka rreth urës, e cila ekzistonte po ashtu si para 100
vitesh. Vetëm pllakën e dedikimit e kishin hequr (gjatë viteve të regjimit
komunist), parapetat gjithashtu ishin prishur dhe urën vetë e kishin zgjeruar
nga ana veriore për të bërë të mundur kalimin e mjeteve të rënda. Mulliri nuk
ekzistonte. Vizitori grek Spiro…i cili ishte pedagog universiteti në Athinë dhe
merrej me studimin e urave të vjetra në Epirin e Veriut (Adrian Seferi, bisedë
gojore me autorin e këtij shkrimi) ka bërë disa matje të lartësisë së saj mbi
ujrat (2.1m), gjatësinë e kalimit (10.6m) dhe gjerësinë (pas zgjerimit të dytë
– 3.9m) dhe i ka shkrepor foto urës. Ndërkaq mikpritësi, Ilo Kere i ka ftuar në
shtëpinë e tij, ku kanë biseduar gjatë për Dardhën dhe komunitetin e saj, po
ashtu edhe Adriani në shtëpinë e të cilit vizitori kujton se ka ngrënë mjaltë
Morave e ka ndjerë mikpritje të ngrohtë…
Kartolinë, Kostumi Dardhar, 1937 |
Kristaq BALLI
klik >>> URA E DARDHËS (1904)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου